Durmishi e hap këtë mbrëmje me katër pika, tri arie monumentale të muzikës klasike: “La dona e mobile” e Verdit, “Ave Maria” e Schubertit dhe “Va pensiero” e Verdit e cila këndohet vetëm solo, kjo vendosur nga bordi artistik i trupës.


Luan DurmishiArbër Selmani

Tenori kosovar Luan Durmishi do të performojë në 50 vjetorin e trupës së baletit të të rinjve "Kinder-und Jugendballett Sandersdorf-Brehna", në qytetin Betterfeld të Gjermanisë.

Durmishi ekskluzivisht për KultPlus tregon se ftesa për këtë performancë i ka ardhur nga Rolf Krause, dikur politikan dhe figurë e njohur në Gjermani, tash drejtor i kësaj trupe të respektuar.

Nata glamuroze do të zhvillohet me datë 29 nëntor në Pallatin e Kulturës në këtë qytet, në një ngjarje ku disa trupi baleti nga shtete të ndryshme evropiane do të performojnë si mysafire, e të cilat për vite kanë bashkëpunuar me trupën e baletit të vetë qytetit.

Durmishi e hap këtë mbrëmje me katër pika, tri arie monumentale të muzikës klasike: “La dona e mobile” e Verdit, “Ave Maria” e Schubertit dhe “Va pensiero” e Verdit e cila këndohet vetëm solo, kjo vendosur nga bordi artistik i trupës.

“Është një privilegj dhe një përgjegjësi e madhe për mua të hap këtë koncert. Trupa e baletit ka një traditë të madhe dhe shumë balerinë të saj pos që kanë qenë pjesë e shumë shtëpive operistike nëpër Evropë, kanë qenë edhe pjesë e showbizit gjerman me performance në stile të ndryshme të vallëzimit bashkëkohor. Unë ndjehem i lumtur që pikërisht mua më është dhënë besimi për këtë performancë” pohon Durmishi.

Të pranishëm në këtë hapje do të jenë fytyra të njohura të politikës dhe kulturës gjermane, ndërsa krejt në fund Durmishi do të performojë “Heintje – Oh du frohliche” një këngë e njohur gjermane që këndohet në raste festash të mëdha në Gjermani.